Fjala e Ambasadorit Sami Ukelli për Illyricum - Moisiu

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri

"ALEKSANDËR MOISIU"
                Vjenë, Austri
Nr. Regj.: 746750400
Direkt zum Seiteninhalt

Hauptmenü:

Botimet

Të dashur krijues,
të dashur lexues,
 
botimi i numrit të dytë i antologjisë „Illyricum“ nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu”, (Vjenë) paraqet padyshim emëruesin më të mirë të përbashkët të përpjekjeve të shkrimtarëve dhe krijuesve shqiptarë në Austri, jo vetëm për të paraqitur punën e tyre krijuese, por edhe për të proklamuar kulturën shqiptare në përgjithësi.

Përpjekjet e para të shkrimtarëve dhe krijuesve shqiptarë në Austri u sublimuan që në vitin 2012, kur edhe u botua antologjia “Illyricum 1”. Sot, komunitetit shqiptar në Austri, po i shtohet edhe një vlerë tjetër, e cila mund të shërbejë si referencë e rëndësishme historike dhe kulturore për gjeneratat e ardhshme. Në vazhdën e këtyre përpjekjeve të pareshtura dhe aktiviteteve të vazhdueshme të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu” (Vjenë) është i mundur botimi i numrit të dytë, të cilën ne sot si lexues kemi kënaqësinë ta kemi në duart tona.

Çdo krijues has në sfida, probleme e barriera të natyrave të ndryshme. Dhe, të gjitha këto janë të kapërcyeshme kur ekziston qëllimi i mirë dhe kur brenda shpirtit krijues ka diçka më të madhe. Jo vetëm vendosmëria, por edhe motivi dhe vullneti për të ofruar diçka të re për komunitetin tonë në Austri, e plotëson më së miri mozaikun e komunitetit tonë këtu në Austri. Bashkëpunimi ynë me Austrinë ka një histori të gjatë, tradicionalisht në baza të shëndosha dhe premisë e fuqishme e së ardhmes së përbashkët.

Synimi i krijuesit është thyerja e barrierave të mundshme. Ai nuk njeh kufizim, ngaqë është i prirur për të prodhuar diçka të re, të shëndetshme për lexuesin dhe idenë e tij. Ndjenjat artistike të krijuesve janë frymëzim dhe ushqim për lexuesin. Andaj, sot më shumë se kurrë tandemi krijues-lexues është përfituesi më i madh i këtij botimi. Domosdoshmërisht ne u jemi mirënjohës të gjithë krijuesve shqiptarë në Austri, të cilët janë bashkuar rreth shoqatës së lartpërmendur, që mban emrin e aktorit të madh shqiptar Aleksandër Moisiu.

Sikurse Austria që ka qenë zëdhënëse e përpjekjeve tona për liri dhe pavarësi si të Shqipërisë ashtu edhe të Kosovës, edhe ju sot, po në shtetin austriak, shërbeni si një lloj zëdhënësi të kulturës tonë. Koha kur qytetarët tanë bënin lajm në mediet austriake për largimin e dhunshëm nga shtëpitë e tyre, sot është ndërruar kjo pasqyrë falë përpjekjeve të përbashkëta.

Krijuesve të këtij botimi i jemi shumë mirënjohës dhe falënderues për punën e tyre të madhe e voluminoze, ndërsa lexuesve të këtij numri i ofrohet një kënaqësi shtesë ndaj leximit dhe krijimit letrar.

Duke ju uruar udhëtim të mbarë në rrugën tuaj të krijimtarisë, mbesim më shpresë në rritjen edhe të numrit të krijuesve dhe vazhdimin e botimeve të radhës.




Sami Ukelli
Ambasador i Kosovës në Austri

@ 2017

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri
"ALEKSANDËR MOISIU", Vjenë
Zurück zum Seiteninhalt | Zurück zum Hauptmenü