Fjala e Ambasadorit Roland Bimo për Illyricum - Moisiu

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri

"ALEKSANDËR MOISIU"
                Vjenë, Austri
Nr. Regj.: 746750400
Direkt zum Seiteninhalt

Hauptmenü:

Botimet

Të nderuar anëtarë dhe aktivistë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri

i nderuar lexues,

është nder e kënaqësi, por edhe privilegj që më jepet mundësia të përshëndes suksesin e radhës të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri, daljen në dritë të botimit të dytë të antologjisë “Illyricum”.

Qysh në fillimet e punës si Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Austri, kam pasur fatin të njihem nga afër dhe të ndjek me entuziazëm dhe emocion, rritjen e vazhdueshme profesionale dhe krijuese të grupit të palodhur e të talentuar të krijuesve, për të cilët ushqej respektin dhe mirënjohjen më të thellë për angazhimin e tyre artistik dhe patriotik.

Vizionarët themelues të Shoqatës arritën të dallojnë gurët e çmuar krijues individualë dhe brenda një kohe të shkurtër, i bashkuan ata në një gjerdan të çmuar, që ndriçon shumë më fort atë qëllim që ata i kishin vënë vetes. Antologjia “Illyricum 2” është një dëshmi e mëtejshme e punës dhe rezultateve konkrete të tyre.

LSHKSHA, me plot kuptimin e fjalës, është një nga grupet më të strukturuara, aktiv dhe prodhues i ushqimit shpirtëror për diasporën shqiptare në Austri dhe më gjerë, me ndikim të prekshëm të momentit dhe perspektivës në zhvillimin e kulturës shqiptare.

Të krijosh art, letërsi, prozë e poezi, pikturë dhe muzikë, është të japësh një pjesë nga vetja për të mirën e përbashkët. Të prodhosh ushqim shpirtëror për bashkatdhetarët larg atdheut është një kontribut i vyer për letrat shqipe në përgjithësi, por edhe për lartësimin e tyre në nivelin e kulturës dhe artit evropian. Meritë e veçantë e LSHKSHA është promovimi i vlerave të artit dhe kulturës shqiptare tek publiku austriak dhe gjermanofolës. Ky dimension rrit ndjeshëm vlerat e përpjekjeve të krijuesve shqiptarë në Austri. Lidhjet e krijuesve shqiptarë me kolegët e tyre austriakë P.E.N. Klub janë të admirueshme dhe sjellin kulturën tonë të lashtë më pranë një publiku evropian.

“Illyricum 2” përbën një gur kilometrik me shumë vlera dhe jam i sigurt se lexuesi merr në dorë një publikim edukativ, i cili i mbledh të gjithë bashkëkombësit rreth një qëllimi dhe objektivi të përbashkët.

Me mirënjohje dhe falënderime të përzemërta uroj suksese të mëtejshme në të ardhmen.




Roland Bimo
Ambasador i Shqipërisë në Austri
@ 2017

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri
"ALEKSANDËR MOISIU", Vjenë
Zurück zum Seiteninhalt | Zurück zum Hauptmenü